Bilall Kasami në komemoracionin për Shpat Kasapin: “Tetova humbi artistin e madh dhe birin e saj të dashur”

Në Tetovë u mbajt sot mbledhja komemorative në nderim të këngëtarit të ndjerë Shpat Kasapi, i cili u nda nga jeta duke lënë pas një boshllëk të madh në skenën muzikore shqiptare. Në mesin e shumë familjarëve, miqve dhe bashkëqytetarëve mori pjesë edhe kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, i cili mbajti një fjalë të shkurtër, por emocionale.

 

Kasami theksoi se humbja e Shpat Kasapit është një goditje e rëndë për qytetin, duke e cilësuar atë si një ndër artistët më të veçantë që Tetova ka dhënë ndër vite.

“Familja Kasapi humbi më të dashurin e tyre, ndërsa Tetova humbi artistin e madh. U bëfsh lule Xhenneti, Shpat”, u shpreh Kasami në fjalimin e tij.

Ai vlerësoi kontributin e Shpat Kasapit në promovimin e kulturës dhe artit shqiptar, duke nënvizuar se suksesi i tij nuk kufizohej vetëm brenda qytetit, por kishte ndikim në të gjithë skenën muzikore shqiptare.
Kasami shtoi se Tetova do ta kujtojë gjithmonë Shpatin si një djalë të urtë, të dashur dhe krijues, i cili e përfaqësoi qytetin me dinjitet dhe pasion.

Mbledhja komemorative u mbyll me lutje dhe mesazhe ngushëllimi për familjen dhe të afërmit, ndërsa qytetarët e Tetovës vazhdojnë të shprehin pikëllimin e tyre për humbjen e artistit që la gjurmë në muzikën shqiptare.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT