Tetovë – Sot është përuruar zyrtarisht bulevardi i ri i njohur si projekti “Aeroporti”, një nga investimet më të mëdha infrastrukturore në qytetin e Tetovës në vitet e fundit.
Ky bulevard i ri përbën një arterie të rëndësishme lidhëse ndërmjet Tetovës dhe vendbanimeve përreth, konkretisht Porojit, Xhepçishtit dhe Tearcës, duke lehtësuar ndjeshëm qarkullimin e automjeteve dhe duke reduktuar ngarkesën në rrugët ekzistuese.
Sipas autoriteteve lokale, realizimi i këtij projekti synon jo vetëm përmirësimin e mobilitetit urban, por edhe zhvillimin ekonomik të zonës, rritjen e sigurisë në trafik dhe krijimin e kushteve më të mira për banorët dhe bizneset.
Projekti ka qenë shpesh objekt debatesh dhe skepticizmi nga ana e kritikëve, por me përfundimin dhe vënien në funksion të tij, bulevardi tashmë pritet të luajë rol kyç në infrastrukturën rrugore të Pollogut.
Bulevardi i ri është i pajisur me trotuare, ndriçim modern dhe sinjalizim rrugor, duke përmbushur standardet bashkëkohore të ndërtimit dhe sigurisë.


