Çairi siguron mbi 1.3 milionë denarë për modernizimin e infrastrukturës komunale

SHKUP, 22 maj 2026 – Komuna e Çairit ka siguruar një mbështetje financiare në vlerë prej 1.372.571 denarësh nga Byroja Rajonale për Zhvillim, në kuadër të Programit për zhvillim urban dhe zhvillim të qëndrueshëm urban për vitin 2026. Me këtë rezultat, Çairi është e vetmja komunë urbane e Shkupit që ka arritur të përfitojë mjete financiare nga kjo thirrje publike.

 

Sipas njoftimit zyrtar, fondet e miratuara do të destinohen ekskluzivisht për vendosjen e kontejnerëve nëntokësorë për mbeturina komunale në rrugën “Metodija Mitevski”. Ky projekt synon të përmirësojë ndjeshëm higjienën publike, të modernizojë infrastrukturën ekzistuese dhe të krijojë një ambient më të pastër e më të shëndetshëm për banorët e kësaj zone.

Nga Komuna e Çairit theksojnë se ky investim është pjesë e strategjisë së tyre afatgjatë për zbatimin e standardeve bashkëkohore ekologjike dhe për rritjen e cilësisë së jetesës në zonat urbane të komunës.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT