Një hulumtim i fundit tregon se çdo i pesti gjerman i moshës midis 14 dhe 29 vjeç po mendon aktivisht për t’u shpërngulur në një shtet tjetër — ndërsa 40% planifikojnë ta bëjnë këtë në plan afatgjatë.
Mendoni se jeta në Gjermani është e shkëlqyer? Shumë të rinj në vend nuk pajtohen. Një numër në rritje i gjermanëve të moshës 14 deri në 29 vjeç thonë se po planifikojnë aktivisht të largohen nga atdheu i tyre.
Në hulumtimin e fundit të titulluar “Jugend in Deutschland” ose “Rinia në Gjermani”, rreth 21% e të rinjve gjermanë të anketuar thonë se planifikojnë aktivisht të largohen nga Gjermania për të gjetur një jetë më të mirë. Madje 41% thonë se mund ta imagjinonin shpërnguljen jashtë vendit për një periudhë më të gjatë.
Gjetjet bazohen në një anketë kombëtare reprezentative të kryer me 2,012 persona të moshës 14 deri në 29 vjeç në Gjermani, të realizuar nga shtëpia botuese “Datajockey Verlag” midis 9 janarit dhe 9 shkurtit 2026.
Cila është arsyeja e këtij ndryshimi?
Të anketuarit thanë se janë të shqetësuar për sigurinë ekonomike në Gjermani, e cila në dy vitet e fundit ka pasur një ekonomi stagnuese. Kostot në rritje të banimit, progresi i dobët në karrierë për shkak të inteligjencës artificiale dhe barra financiare gjithnjë e më e madhe ua vështirëson të rinjve të bëhen të pavarur, thanë pjesëmarrësit.
“Rezultatet e studimit tregojnë në mënyrë dramatike se sa shumë ndikojnë presionet e viteve të fundit te të rinjtë — në formën e stresit, rraskapitjes dhe ndjenjës në rritje të mungesës së perspektivës,” tha drejtori i studimit, Simon Schnetzer.
Ndryshimet politike
Gjenerata Z po orientohet gjithashtu drejt ekstremeve politike në Gjermani. Raporti i programit informativ gjerman “Tagesschau” thekson se 21% e votuesve nën moshën 25 vjeç kanë votuar për partinë e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) në zgjedhjet e fundit në provincën Rheinland-Pfalz. Partia e majtë, ndërkohë, ka marrë 19% të votave nga kjo grupmoshë.
Peizazhi politik gjithnjë e më i polarizuar i vendit — veçanërisht rritja e partive të ekstremit të djathtë — po i shtyn gjithashtu shumë të rinj të mendojnë për largimin.
Siç tha për “DW” Riff, një studente masteri në studimet sociale dhe kulturore në Universitetin Humboldt në Berlin: “Mendoj se çdo mik i imi po mendon për këtë — sidomos nëse jeni të shenjuar racialisht, nëse jeni në ndonjë mënyrë pjesë e një pakice”. Ajo shton: “Jam gjithnjë e më shumë e shqetësuar, veçanërisht sepse shumë vende pune në kulturë, vende pune që punojnë për demokratizimin, po shkurtohen. Mendoj se fashizmi është në rritje”.
Problemet me shëndetin mendor
Shëndeti mendor në Gjermani, siç duket, po përkeqësohet. Studimi tregon se numri i të rinjve që thonë se kanë nevojë për mbështetje psikologjike ka arritur një kulm të ri prej 29%. Kjo shifër është më e lartë te femrat e reja (34%), studentët (32%) dhe të rinjtë e papunë (42%).
Shumë pjesëmarrës në anketë deklaruan se po u drejtohen gjithnjë e më shumë shërbimeve këshillimore me mbështetjen e inteligjencës artificiale për t’u përballur me problemet personale. Kjo mund të jetë arsyeja pse ideja e jetës jashtë Gjermanisë është tërheqëse për disa të rinj.
Ku shkojnë të rinjtë gjermanë?
Sipas një ankete të “Destatis” nga viti 2024, Zvicra është destinacioni i parë, e ndjekur nga Austria. Kryeqyteti austriak, Vjena, renditet vazhdimisht ndër qytetet më të përshtatshme për jetesë në botë, me shërbimet e saj publike të sigurta dhe cilësinë e lartë të jetës. Në hulumtimin e “Mercer” për cilësinë e jetës nga viti 2024, qyteti ishte i dyti në botë, menjëherë pas Cyrihut. Vendet e tjera me qytete në listë përfshijnë SHBA-në, Spanjën dhe Francën.
Caspar ten Haaf, i cili studion latinisht dhe muzikë, thotë se njerëzit me prejardhje emigrante “nuk ndihen më të mirëpritur pasi partitë si AfD bëhen më të forta”. Ai mendon se pabarazia midis klasave sociale është bërë një problem në rritje: “Kemi një diferencë të madhe midis të pasurve dhe të varfërve. Kemi shumë taksa për punëtorët e thjeshtë, por jo për pasurinë që njerëzit e pasur kanë trashëguar”.


