Sulmuesi Ndzengue luajti pak minuta dhe shënoi gol në debutim thuajse në prekjen e parë të topit, derisa 66 minuta pozitive zhvilloi, Drilon Islami.
Në ndeshjen e parë zyrtare të vitit 2026, Shkëndija nisi gjysmësezonin pranveror me fitore 2:0 ndaj Struga Trim & Lum, në kuadër të xhiros së 17-të të LPFM, me golat e Spahiut (79’) dhe Ndzengues (88’). Përballja solli debutimet zyrtare të dy futbollistëve kuqezinj, Drilon Islami dhe Fahd Ndzengue.
Mesfushori Drilon Islami e nisi ndeshjen si titullar, duke regjistruar debutimin e tij të parë zyrtar me fanellën kuqezi. Ai qëndroi në lojë deri në minutën e 66-të, kur u zëvendësua nga Reshat Ramadani, duke lënë përshtypje shumë pozitive me paraqitjen, qetësinë në lojë dhe angazhimin e tij në mesfushë.
Nga ana tjetër, debutim ëndrrash realizoi sulmuesi Fahd Ndzengue, i cili u aktivizua në minutën e 85-të në vend të Besart Ibrahimit. Përkundër faktit se kishte kaluar një dëmtim dhe ekipit iu bashkua vetëm një natë më parë për shkak të procedurave me vizën, stafi teknik vendosi ta hedhë në fushë. Vendim që u shpërblye menjëherë. Në minutën e 88-të, pas asistimit të Spahiut, Ndzengue shënoi golin e dytë të Shkëndijës, duke vulosur fitoren 2:0 dhe duke realizuar golin e tij debutues me fanellën kuqezi. Ky gol e çon sulmuesin në kuotën e 9 golave në total këtë sezon, duke përfshirë 8 realizimet me skuadrën e mëparshme, AP Brera.
Një start ideal për Shkëndijën dhe për dy futbollistët e rinj në përbërje, që sinjalizon më shumë alternativa dhe konkurrencë për vazhdimësinë e sezonit.


