Zëdhënësi i Dhomave të Specializuara në Hagë, Michael Doyle, ka njoftuar se faza e deklaratave përmbyllëse në procesin gjyqësor ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së do të zhvillohet nga 9 deri më 13 shkurt 2026.
Pas përfundimit të kësaj faze, trupi gjykues do të mbyllë zyrtarisht çështjen dhe do të nisë shqyrtimin e dosjes për të arritur deri te aktgjykimi. Sipas rregulloreve të gjykatës, vendimi duhet të shpallet brenda 90 ditëve nga mbyllja e çështjes, me mundësinë e një shtyrjeje deri në 60 ditë nëse kërkohet kohë shtesë.
Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, ndodhen në paraburgim në Hagë që nga viti 2020. Të katërt janë deklaruar të pafajshëm ndaj akuzave për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.


