Drejtori Samet Bislimi i bashkohet ekipit të NPK “Sharri” në terren për vendlindjen e tij: Pas 25 vitesh, drejt zgjidhjes problemi i furnizimit me ujë në Reçicën e Vogël

Një nga problemet më të kahershme me të cilin janë përballur banorët e Reçicës së Vogël po shkon drejt zgjidhjes. Pas më shumë se 25 vitesh mungesë të furnizimit të rregullt me ujë të pijshëm, punimet për zgjerimin e rrjetit të ujësjellësit po hyjnë në fazën përfundimtare, duke sjellë shpresë për një përmirësim të ndjeshëm të kushteve të jetesës në këtë zonë.

 

Drejtori i Ndërmarrjes Publike Komunale në Tetovë, Samet Bislimi, ka inspektuar nga afër ecurinë e punimeve së bashku me ekipet që po punojnë në terren, duke theksuar se ky është një ndër projektet më të rëndësishme infrastrukturore për banorët e Reçicës së Vogël dhe të Lagjes UÇK.

Sipas tij, investimi po realizohet me ritëm të mirë dhe punimet po afrohen drejt përfundimit, ndërsa shumë shpejt banorët do të kenë në dispozicion furnizim më të qëndrueshëm dhe më cilësor me ujë të pijshëm.

Bislimi bëri të ditur se ky projekt përmbyll një proces të nisur rreth një vit më parë dhe synon t’i japë fund një problemi shumëvjeçar që ka rënduar jetën e qindra familjeve në këtë pjesë të Tetovës.

“Pas rreth 30 vitesh pritjeje, banorët e Lagjes UÇK do të furnizohen me ujë të pijshëm, ndërsa me zgjerimin e rrjetit të ujësjellësit edhe Reçica e Vogël do të ketë një zgjidhje të qëndrueshme për furnizimin me ujë”, është shprehur ai.

Ai theksoi se investimet në infrastrukturën bazë janë thelbësore për përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve, duke shtuar se furnizimi i rregullt me ujë është një e drejtë themelore dhe një parakusht për zhvillimin e çdo vendbanimi.

Në fund, drejtori Samet Bislimi, uroi banorët e Lagjes UÇK dhe të Reçicës së Vogël për këtë projekt të shumëpritur, duke shprehur bindjen se përfundimi i punimeve do të shënojë fundin e një problemi që ka zgjatur për më shumë se dy dekada.

përcjell Zhurnal.mk .

TË NDRYSHME

TË FUNDIT