Edi Rama mohon se Shqipëria është në bisedime me Trump për të pranuar 100,000 palestinezë nga Gaza
Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka mohuar raportimet e kanalit izraelit “Channel 12”, i cili tha se qeveria e tij po negocion me administratën e presidentit amerikan Donald Trump për të pranuar afër 100,000 palestinezë nga Gaza.
“Kam kohë që nuk kam dëgjuar diçka kaq të rreme, dhe në kohët e fundit ka shumë lajme të rreme! Kjo nuk është aspak e vërtetë”, shkroi Rama në rrjetin social “X”.
Duke shprehur respekt dhe solidaritet të plotë me qytetarët e Gazës, Edi Rama tha se Shqipëria nuk është thirrur, as nuk mund të mendojë të marrë një përgjegjësi të tillë.
“Jemi krenarë për miqësinë tonë të fortë me Izraelin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite, Katarin, Kuvajtin dhe sigurisht me popullin palestinez, të cilin Shqipëria e ka njohur si shtet prej kohësh”, tha kryeministri shqiptar.
Duke theksuar se Shqipëria nuk është në Lindjen e Mesme, ai tha se vendi “nuk mund të bëjë më shumë nga zemra e Europës sesa çdo vend tjetër europian”.
“Megjithatë, dëshirojmë dhe lutemi që populli palestinez të ketë mundësinë të jetojë në shtetin e tij, si njerëz të lirë nën qeveri demokratike”, përfundoi Rama.
Raporti i “Channel 12” i Izraelit thoshte se Izraeli beson se thirrja e presidentit amerikan Donald Trump për Jordanin dhe Egjiptin të pranojnë refugjatë palestinezë është joreale dhe se Uashingtoni po kërkon alternativa të tjera si Shqipëria. “NBC News” kishte raportuar më herët këtë muaj se SHBA po shqyrton dhe Indonezinë si një mundësi për pranim të palestinezëve nga Gaza.