Statusi i kahershëm i Dubait si një “strehë e paprekshme” për kapitalin botëror është tronditur seriozisht. Pas sulmeve të javës së kaluar me raketa iraniane mbi Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), një numër i madh investitorësh të pasur aziatikë kanë nisur të zhvendosin masivisht pasuritë e tyre drejt destinacioneve më të sigurta, ku Singapori dhe Hong Kongu po shfaqen si alternativat kryesore.
Frika nga një konflikt afatgjatë
Ndonëse Dubai për vite me radhë i ka tërhequr sipërmarrësit me taksa të ulëta dhe infrastrukturë luksoze, përshkallëzimi i luftës në Lindjen e Mesme ka ndryshuar prioritetet. Investitorët tani janë më shumë të shqetësuar për sigurinë fizike të mjeteve të tyre sesa për lehtësitë tatimore.
Sipas raporteve të “Reuters”, menjëherë pas sulmeve janë vërejtur përpjekje për transferimin e shumave të mëdha të parave. Një biznesmen indian konfirmoi se kishte transferuar mbi 100,000 dollarë në një llogari në Singapur sapo sistemet bankare, të cilat fillimisht ishin jashtë funksionit për shkak të problemeve teknike pas sulmit, u rikthyen në punë.
Singapori – zgjedhja kryesore për “Planin B”
Këshilltarët financiarë në Singapur thonë se telefonat nuk ndalojnë së rëni. Rajan Lin, avokat për menaxhimin e pasurisë private, zbulon se vetëm brenda një jave është kontaktuar nga pothuajse gjysma e klientëve të tij me bazë në Dubai, të cilët mesatarisht zotërojnë rreth 50 milionë dollarë.
“Pyetja nuk është më nëse, por sa shpejt mund të zhvendoset gjithçka në Singapur”, thotë Lin.
Një trend të ngjashëm konfirmojnë edhe nga firma “Anderson Global”, ku dhjetëra “zyra familjare” (kompani që menaxhojnë pasurinë e familjeve të pasura) kanë dorëzuar tashmë kërkesa për relokim, nga frika se konflikti midis SHBA-së, Izraelit dhe Iranit mund të zgjasë me vite.
Emiratet e Bashkuara Arabe qetësojnë situatën: Sektori financiar është stabil
Nga ana tjetër, zyrtarët në Emirate po përpiqen të qetësojnë panikun. Guvernatori i Bankës Qendrore të EBA-së, Khalid Mohamed Balama, deklaroi se sistemi bankar është rezistent dhe i gatshëm të përballet me sfidat rajonale, duke theksuar se të gjitha institucionet financiare po punojnë normalisht.
Disa menaxherë në Dubai mendojnë se investitorët e sofistikuar nuk do ta braktisin plotësisht tregun, por thjesht do të bëjnë një diversifikim shtesë.
Strategjia “prit dhe shih”
Ndërsa disa po nxituan me transfertat, grupe të mëdha bankare si “DBS Group” dhe “Bank of Singapore” vërejnë se një pjesë e klientëve ende kanë një qëndrim pritës. Ata po ndjekin me vëmendje hapat e Iranit dhe përshkallëzimin e mundshëm të mëtejshëm përpara se të marrin një vendim përfundimtar për tërheqjen e plotë të kapitalit nga Gjiri Persik.
Megjithatë, konkluzioni i ekspertëve është i qartë: besimi është dëmtuar seriozisht dhe procesi për rikthimin e imazhit të “oazës së sigurt” do të jetë i gjatë dhe i pasigurt për Dubain.


