Sulmuesi i Kombëtares Shqiptare, Ernest Muçi, ka fituar trofeun e Kupës së Turqisë me fanellën e Trabzonsporit. Ky sukses vjen vetëm pak ditë pasi klubi turk zyrtarizoi blerjen e tij përfundimtare nga Beşiktaşi për shumën prej 8.5 milionë eurosh.
Në një intervistë të drejtpërdrejtë nga fusha e lojës për emisionin “Procesi Sportiv” në Top Channel, Muçi ndau emocionet e tij pas një sezoni intensiv:
“Kam shumë emocione. Ka qenë një sezon shumë i gjatë, me ulje dhe ngritje. Më vjen mirë që e mbyllëm kështu me trofe sepse ka shumë rëndësi për të gjithë, për klubin, tifozët, dhe për ne lojtarët”, u shpreh ai.
Futbollisti theksoi krenarinë e tij për ruajtjen e mentalitetit fitues në karrierë, duke kujtuar titujt e fituar më parë me Tiranën dhe Legian e Varshavës, ndërsa shprehu dëshirën për të arritur suksese të tjera në të ardhmen. Në mbyllje, Muçi nuk harroi të falënderonte tifozët shqiptarë për përkrahjen e vazhdueshme që i kanë dhënë gjatë rrugëtimit të tij.


