Komisioni Evropian ka konfirmuar marrjen e një letre zyrtare nga kancelari gjerman, Friedrich Merz, ku propozohet një procedurë e përshpejtuar për afrimin e vendeve kandidate me bllokun. Propozimi parashikon dhënien e statusit të “anëtares së asociuar” për Ukrainën dhe statusin e “vëzhguesit” për vendet e Ballkanit Perëndimor (përfshirë Shqipërinë) dhe Moldavinë.
Zëdhënësi i KE-së, Guillaume Mercier, e mirëpriti këtë nismë duke e cilësuar zgjerimin si një investim gjeostrategjik për paqen dhe sigurinë e BE-së, ndërsa nënvizoi se çdo zgjidhje inovative do të vazhdojë të bazohet tek meritokracia dhe reformat.
Sipas letrës së kancelarit Merz, plani i integrimit gradual përfshin:
-
Për Ballkanin Perëndimor dhe Moldavinë: Qasje të privilegjuar në Tregun e Përbashkët Evropian (lëvizje e lirë e mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve) dhe statusin e vëzhguesit në institucionet e BE-së, duke mundësuar mbledhje të përbashkëta për çështje që prekin rajonin.
-
Për Ukrainën: Një afrim të konsiderueshëm institucional që mbështet dhe nxit negociatat aktuale të anëtarësimit, pa pasur nevojë për ndryshime në kuadrin ligjor të BE-së, por vetëm për një vullnet të fortë politik.
Kancelari gjerman rikonfirmoi përkushtimin ndaj Kritereve të Kopenhagës dhe Agjendës së Selanikut të vitit 2003, duke theksuar se qëllimi final mbetet anëtarësimi i plotë i të gjitha vendeve kandidate pas realizimit të reformave të nevojshme.


