STRUGË – Pas kërkesës së paraqitur nga Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, Fakulteti i Ndërtimtarisë pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” – Shkup ka pranuar zyrtarisht të realizojë një analizë profesionale të sistemit të furnizimit me ujë në këtë komunë.
Dekani ka formuar një ekip profesional të përbërë nga tre profesorë, të cilët do të kryejnë një inspektim të detajuar në terren të elementeve kyçe të sistemit. Kontrolli do të përfshijë burimin e Shumit, burimet në Belicë të Epërme, dhomat hyrëse, rezervuarët e furnizimit, lokacionet e HVE-ve, si dhe stacionin e klorinimit.
Pas përfundimit të inspektimit, do të përgatitet një raport zyrtar me konstatime profesionale dhe rekomandime konkrete për tejkalimin e situatës aktuale. Përmes këtij hapi, Komuna e Strugës synon veprim sistematik dhe transparent duke përfshirë institucionin më të lartë akademik, me qëllim garantimin e shëndetit dhe sigurisë së qytetarëve.


