Ditën e sotme, kreu i komunës së Bogovinës Feti Abazi, ka pritur në takim dy drejtorë e parqeve nacionale, atë të Malit Sharr Evzal Elmazi dhe homologun e tij nga Kosova, Nail Kryeziun.
Në takim, u diskutua hapja e shtigjeve për ecje dhe biçikleta, si dhe mundësia e ndërlidhjes së dy destinacioneve turistike, siç janë: Ujëvarat e Kamjanit dhe Liqeni i Bogovinës, me shtetin e Kosovës.
“Sot pata kënaqësinë të pres në takim Drejtorin e Parkut Kombëtar Mali Sharr, Evzal Elmazi, së bashku me kolegun e tij nga Republika e Kosovës, Drejtorin e Parkut Kombëtar, Nail Kryeziu.
Takimi ishte tejet konstruktiv dhe i frytshëm, ku diskutuam për një sërë projektesh të përbashkëta që synojnë zhvillimin e turizmit malor dhe promovimin e vlerave natyrore të rajonit tonë. Në fokus të bisedimeve ishin ndërtimi i shtigjeve për ecje dhe biçikleta, krijimi i pikave të pushimit dhe vëzhgimit, si dhe lidhja e destinacioneve turistike ndërmjet Malit Sharr dhe pjesës së Kosovës.
Vëmendje të veçantë i kushtuam potencialit të jashtëzakonshëm turistik të Liqenit të Bogovinës dhe Ujëvarave të Kamjanit, por edhe zhvillimit të fshatrave tona malore, të cilat përfaqësojnë një pasuri të rëndësishme natyrore dhe kulturore.
I falënderova të dy drejtorët për gatishmërinë, interesimin dhe përkushtimin e treguar për bashkëpunim me Komunën e Bogovinës. Jam i bindur se përmes partneritetit dhe koordinimit të përbashkët do të realizojmë projekte konkrete që do të sjellin zhvillim ekonomik, turistik dhe përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët tanë”, ka shkruar Abazi, në Facebook.


