Kreu i komunës së Bogovinës Feti Abazi, bashkë me zv/ministren e Transportit Kaltrina Zekolli dhe ministrin e Ambientit Muhamet Hoxha, kanë inspektuar së bashku projektet infrastrukturore, duke filluar nga rruga e Prekovecit në Bogovinë,
murin mbrojtës në Pirok, rrugën lokale Siniçan – Siniçan i Epërm dhe rregullimin e shtratit të lumit në Pallçisht.
“Inspektuam ecurinë e projekteve infrastrukturore në Komunën e Bogovinës!
Sot, së bashku me zëvendësministren e Transportit, Kaltrina Zekolli, dhe ministrin e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muhamet Hoxha, inspektuam punimet në disa prej projekteve më të rëndësishme që po realizohen në komunën tonë.
Vizituam punimet në rrugën e Prekovecit në Bogovinë, murin mbrojtës pranë shkollës fillore në Pirok, rrugën lokale që lidh Siniçanin me Siniçanin e Epërm, si dhe projektin për rregullimin e shtratit të lumit Krusha në Pallçisht.
Me kënaqësi konstatuam se punimet po zhvillohen sipas dinamikës së paraparë dhe me standarde të larta cilësie. Besojmë se së shpejti këto projekte, por edhe të tjera që realizohen në bashkëpunim me këto dy ministri, do të përfundojnë me sukses dhe do të jenë në shërbim të qytetarëve”, ka shkruar Abazi.
Tutje, ai ka falenderuar për mbështetjen krerët e kabinetit qeveritar, që përpos angazhimit institucional ndaj komunës së Bogovinës, kanë ndarë kohë nga agjenda e tyre që të vizitojnë edhe fizikisht, infrastrukturën e fshatrave të kësaj komune.
“Shpreh mirënjohjen time për ministrin Muhamet Hoxha dhe zëvendësministren Kaltrina Zekolli për mbështetjen e vazhdueshme, bashkëpunimin e shkëlqyer dhe përkushtimin e tyre ndaj projekteve zhvillimore në Komunën e Bogovinës.
Së bashku vazhdojmë të punojmë për një komunë me infrastrukturë moderne dhe kushte më të mira për të gjithë qytetarët”, ka mbaruar, Abazi.


