Kreu i Komunës së Bogovinës, Feti Abazi, ka prezantuar sonte projekt-buxhetin për vitin 2026, i cili kap shifrën rekord prej 12 milionë e 200 mijë eurosh. Prezantimi u bë në kuadër të shënimit të 29-vjetorit të themelimit të komunës, ku Abazi theksoi se ky është një buxhet real dhe i hartuar në bashkëpunim të ngushtë me qytetarët.
Buxheti i ri shënon një rritje prej mbi 2 milionë eurosh në krahasim me vitin paraprak, duke u fokusuar në investime kapitale që prekin të 16 fshatrat e kësaj komune.
Ndarja e mjeteve sipas shtyllave kryesore: Nga shuma totale prej 12.2 milionë eurosh, gjysma e buxhetit (6 milionë euro) është e destinuar për harxhime fikse, ndërsa pjesa tjetër prej 6 milionë eurosh përbën Buxhetin Zhvillimor.
Projektet kryesore infrastrukturore:
-
Infrastruktura rrugore: Janë paraparë 2 milionë e 700 mijë euro. Ndër projektet kyçe janë: Rruga Novo Sellë, Rruga e Jurisë-Pirok, projektet në Zherovjan, Rakovec, Pallçisht i Poshtëm, Kallnik, si dhe rrugët e Prekovecit dhe Sedllarcës në Bogovinë.
-
Sporti dhe Kultura: Një shumë prej 1 milion e 800 mijë eurosh do të investohet në sallën sportive në Bogovinë dhe rikonstruimin e sallës në Zherovjan.
-
Mjedisi dhe Ujësjellësit: 809 mijë euro për ambientin (përfshirë kanalin për ujërat atmosferikë në Pirok) dhe 320 mijë euro për investime në ujësjellës.
-
Arsimi dhe Rinia: Rikonstruimi i çerdhes në Siniçan (154 mijë euro) dhe 232 mijë euro për resurse njerëzore dhe mbështetje për shkollat.
Modernizimi dhe Siguria: Kryetari Abazi njoftoi se 750 mijë euro janë ndarë për ndriçimin publik, ndërsa përmes projekteve rajonale do të sigurohen 2 kamionë të rinj për zjarrfikësit në vlerë prej 400 mijë eurosh. Po ashtu, një rëndësi e veçantë i është dhënë digjitalizimit dhe efikasitetit energjetik.
“Ky është një buxhet i përgjegjshëm ku për herë të parë qytetarët janë informuar paraprakisht dhe kanë dhënë idetë e tyre online dhe fizikisht. Qëllimi ynë është përmirësimi i cilësisë së jetës përmes planifikimit urban dhe rritjes së sigurisë,” deklaroi Abazi.


