Florin Besimi dhe Artan Etemi paralajmërojnë ankimim: “Po na dënojnë për faji të tjerëve”

Vendimi i Gjykatës së Apelit në Gostivar për të dyfishuar dënimin me burg ndaj dy ish-drejtorëve të Spitalit Klinik të Tetovës, Florin Besimi dhe Artan Etemi, ka nxitur reagime të ashpra. Të dënuarit me nga 3 vite burg efektiv, e kanë cilësuar këtë vendim si të motivuar politikisht dhe etnikisht.

 

Ish-drejtori ekonomik, Artan Etemi, në një deklaratë publike hodhi akuza të rënda drejt sistemit të drejtësisë. Sipas tij, procesi është selektiv pasi nuk u hetuan personat që porositën dhe mbikëqyrën ndërtimin e spitalit modular. “Është drejtësi etnike sepse të akuzuar jemi vetëm dy shqiptarë. Ndërsa ish-ministri Filipçe dhe firma ndërtuese as që u hetuan sepse i mbrojti dikush,” deklaroi Etemi, duke theksuar se spitali u pranua si donacion nga Ministria e Shëndetësisë.

Në të njëjtën linjë ishte edhe ish-drejtori Florin Besimi, i cili e quajti indikative rritjen e dënimit nga Apeli. Besimi argumentoi se nuk mund të mbahet përgjegjës për mungesën e aparateve për fikjen e zjarrit në një objekt që u dogj për shkak të mënyrës së ndërtimit. “Vendimi i parë për dënim me kusht u kthye në rigjykim nga vetë Apeli me arsyetimin se nuk kishte bazë. Tani, mbi të njëjtin gjykim, jo vetëm që e pranojnë fajësinë, por e rrisin dënimin në 3 vite burg efektiv,” u shpreh Besimi.

Të dy ish-zyrtarët paralajmëruan se do të ndjekin të gjitha rrugët ligjore për ta ankimuar këtë vendim, duke kërkuar që përgjegjësia për tragjedinë që mori 14 jetë të kërkohet te ndërtuesit dhe mbikëqyrësit e projektit, e jo te menaxhmenti i spitalit.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT