Kreu i Lëvizjes Besa, njëherësh një nga liderët e koalicionit VLEN, Bilall Kasami, ka komentuar zhvillimet e fundit brenda bllokut politik, përfshirë reagimin publik të Fatmir Limanit. Kasami theksoi se janë në komunikim të vazhdueshëm me të gjithë funksionerët dhe se zërat ndryshe i sheh si pjesë të procesit demokratik.
Lidhur me reagimet e Limanit dhe mungesën e tij në takimin e fundit në Kërçovë, Kasami u shpreh se çdo anëtar ka të drejtë të japë qëndrimet e tij për rrugëtimin e mëtutjshëm të VLEN-it. “Reagimin e z. Limanit dhe të tjerat i shohim në drejtim të gjetjes së rrugës më të mirë që VLEN-i sa më shpejt të bëhet një subjekt i vetëm politik,” deklaroi ai.
Një nga pikat më interesante të deklaratës së Kasamit ishte zbulimi i modelit se si mund të udhëhiqet partia e re që pritet të krijohet nga shkrirja e subjekteve aktuale. Për të shmangur ngërçet për postin e kryetarit, po shqyrtohet seriozisht ideja e udhëheqjes me rotacion.
“Një ndër opsionet që më së shumti po diskutohet për çështjen e kryetarit të partisë është koncepti i rotacionit,” konfirmoi Kasami, duke lënë të kuptohet se kjo mund të jetë zgjidhja për të ruajtur unitetin mes partnerëve të koalicionit.
Aktualisht, brenda VLEN-it po kërkohet opsioni më i mirë teknik dhe politik për shkrirjen përfundimtare në një subjekt të vetëm, proces ky që pritet të marrë formë gjatë muajve të ardhshëm.


