Sulmuesi i kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi, nuk i ka fshehur dot lotët dhe emocionet pas përfundimit të ndeshjes së fundit të sezonit. Skuadra e tij, Mallorca, është përshëndetur zyrtarisht me elitën e futbollit spanjoll (La Liga), duke pësuar një rënie dramatike.
Edhe pse Mallorca arriti një fitore bindëse 3-0 në javën e fundit ndaj Real Oviedos, ky rezultat nuk mjaftoi për të siguruar mbijetesën.
Kronika e ndeshjes dhe goli i Muriqit:
-
Dominimi: Mallorca e nisi mirë ndeshjen duke kaluar në avantazh në minutën e 42-të me anë të Torres, ndërsa Manu Morlanes dyfishoi shifrat në minutën e 83-të.
-
Vula e “Piratit”: Sulmuesi dardan, Vedat Muriqi, gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 88-të, duke shënuar nga afërsia golin e tretë dhe të fundit të takimit.
Paradoksi i madh: Mallorca bie, Muriqi shkëlqen në Spanjë
Pavarësisht këtij triumfi, Mallorca e mbylli kampionatin në vendin e 18-të me 42 pikë, pozicion ky që e zbret një kategori më poshtë.
Ky përfundim mbetet një goditje e madhe për Muriqin, sidomos për faktin se ai zhvilloi një sezon individual të jashtëzakonshëm. Sulmuesi i Kosovës e mbylli kampionatin spanjoll si golashënuesi i dytë më i mirë me 22 gola, duke u rreshtuar menjëherë pas yllit të Real Madridit, Kylian Mbappe, i cili shënoi 24 gola.


