Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kujtuar një moment mjaft emocional të pasluftës, duke treguar reagimin e ish-presidentit Ibrahim Rugova kur mori lajmin për aktakuzën e Tribunalit të Hagës ndaj tij.
Haradinaj dëshmoi se kjo ngjarje kishte shkaktuar një tronditje të thellë te Rugova, i cili i rënduar emocionalisht, nuk po pranonte askënd në takim.
“Kur shkova dhe e pashë në zyrë, ishte duke qarë”, deklaroi Haradinaj, duke shtuar se ish-presidenti nuk e tejkaloi asnjëherë plotësisht atë goditje.
Sipas tij, kjo aktakuzë pati një efekt tronditës mbi mbarë shoqërinë shqiptare të asaj kohe, duke nxitur një mobilizim të menjëhershëm e të gjerë qytetar e politik, ku u përfshinë UÇK-ja, LDK-ja, AAK-ja, si dhe bota akademike, artistike e sportive në vend.


