Islanda bojkoton Eurovizion 2026, iu bashkua Spanjës, Irlandës, Sllovenisë dhe Holandës

Islanda është bërë vendi i pestë që ka njoftuar tërheqjen nga Eurovizion 2026, duke iu bashkuar Spanjës, Irlandës, Sllovenisë dhe Holandës. Vendimi pason konfirmimin zyrtar të pjesëmarrjes së Izraelit në konkurs, i cili do të mbahet në Vjenë, Austri, majin e ardhshëm.

 

Shërbimi Kombëtar i Transmetimeve të Islandës (RÚV) deklaroi se pjesëmarrja e transmetuesit izraelit, KAN, ka krijuar përçarje brenda Unionit Evropian të Transmetuesve (EBU) dhe mes publikut. Bordi i RÚV vendosi të mos marrë pjesë, duke argumentuar se pjesëmarrja nuk do të sjellë gëzim apo paqe për opinionin publik.

Tensionet rreth pjesëmarrjes së Izraelit janë rritur për shkak të konfliktit në Gaza dhe shqetësimeve mbi integritetin e votës dhe fushatës së këtij viti. Pavarësisht masave të reja të miratuara nga EBU për të mbrojtur votimin, RÚV tha se ende mbeten dyshime mbi efektivitetin e tyre.

Javën e kaluar, Spanja, Irlanda, Sllovenia dhe Holanda gjithashtu u tërhoqën pas debateve brenda EBU-së. Nga ana e tij, shefi ekzekutiv i KAN, Golan Yochpaz, kritikoi përpjekjet për të përjashtuar Izraelin, duke e quajtur atë “bojkot kulturor” dhe paralajmëroi se një veprim i tillë mund të ketë pasoja të mëtejshme për konkursin.

Izraeli ka marrë pjesë në Eurovizion që nga viti 1973, ka fituar katër herë dhe doli i dyti në edicionin e vitit 2025.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT