FIER – Një ngjarje e rëndë është shënuar në fshatin Vjosë të Fierit, ku Altin Meçaj, një emigrant i kthyer nga Gjermania, pretendon se është dhunuar barbarisht nga një punonjës policie dhe bashkëpunëtorë të tij. Shkak për këtë sulm, sipas viktimës, është bërë një “Like” dhe një koment i dërguar motrës së policit në rrjetin social Messenger.
Pritë në errësirë dhe dhunë brenda rrethimit të shtëpisë Sipas dëshmisë së Meçajt, ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:00 të mbrëmjes. Autorët dyshohet se kanë fikur dritat e shtëpisë së tij për ta nxjerrë jashtë. “Dola se mendova se ishte vëllai. Më qëlluan direkt pa mëshirë dhe më rrëzuan përtokë pa ndjenja,” shprehet emigranti, duke identifikuar si autor kryesor Fredi Astrit Lamajn, me detyrë komandant në forcat RENEA.
Sulmohet edhe babai 80-vjeçar Nga dhuna nuk është kursyer as babai i moshuar i Altinit, Ylli Meçaj, i cili ka dalë për të ndihmuar të birin. Ai tregon se e ka gjetur djalin të mbuluar në gjak, ndërsa thekson se familja e tyre nuk ka pasur kurrë konflikte të mëparshme me autorët, madje Altini kishte punuar më parë në shtëpinë e tyre.
Zhdukja e provave? Viktima denoncon gjithashtu se gjatë sulmit i është marrë telefoni celular, i cili përmbante mesazhet kërcënuese të dërguara para ngjarjes. Megjithëse policia ka nisur kërkimet në vendngjarje, pajisja ende nuk është gjetur.
Altin Meçaj, i cili u zgjua në ambulancë pas humbjes së ndjenjave, ka bërë thirrje publike për drejtësi, duke akuzuar punonjësin e policisë për shkelje të pronës dhe dhunë të pajustifikuar. Deri më tani, autoritetet nuk kanë dalë me një njoftim zyrtar lidhur me masat e marra ndaj efektivit të përfshirë.


