TETOVË – Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka pritur sot në një takim zyrtar ambasadorin e Hungarisë në Maqedoninë e Veriut, Andràs Klein. Takimi, i cili u vlerësua si mjaft konstruktiv, u përqendrua në gjetjen e rrugëve të reja për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet pushtetit lokal dhe institucioneve hungareze.
Gjatë bisedës, palët diskutuan për projekte konkrete që prekin sferat jetike të qytetit, me theks të veçantë në zhvillimin lokal, përmirësimin e sistemit arsimor dhe shkëmbimet kulturore.
“Diskutuam për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet komunës sonë dhe institucioneve hungareze. Jam mirënjohës për mbështetjen dhe gatishmërinë e treguar për forcimin e marrëdhënieve miqësore,” u shpreh Kasami pas takimit.
Ky takim pason përpjekjet e vazhdueshme të Komunës së Tetovës për të thithur përvoja ndërkombëtare dhe mbështetje nga vendet e BE-së, me qëllim rritjen e cilësisë së shërbimeve për qytetarët dhe promovimin e trashëgimisë kulturore të rajonit.


