STRUGA, 20 SHKURT 2026 – Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, ka realizuar një takim pune me Zëvendës Avokatin e Popullit, Ylber Rufati, me qëllim adresimin e çështjes prioritare të furnizimit me ujë të pijshëm në komunë. Gjatë këtij takimi, palët diskutuan mbi gjendjen aktuale dhe masat emergjente që po ndërmerren për stabilizimin e situatës.
Kryetari Qyra e informoi detajisht zv. Avokatin e Popullit për hapat konkretë që komuna ka ndërmarrë deri më tani. Ai nënvizoi se zgjidhja e këtij problemi jetik trajtohet me përgjegjësi maksimale institucionale, duke qëndruar larg interesave politike apo personale.
Angazhimi i ekspertëve dhe transparenca
Për të garantuar një zgjidhje afatgjatë dhe profesionale, Kryetari Qyra bëri të ditur se përveç institucioneve relevante, në këtë proces janë angazhuar edhe ekspertë të pavarur privatë. Ky angazhim synon të ofrojë një analizë të mirëfilltë teknike për tejkalimin e sfidave me rrjetin e ujësjellësit.
“Kam angazhuar të gjitha institucionet përkatëse që ta trajtojnë këtë problem me seriozitetin më të lartë, përfshirë edhe konsulencën nga ekspertë privatë,” deklaroi ndër të tjera Qyra.
Komuna e Strugës rikonfirmon përkushtimin e saj për të mbajtur një proces transparent dhe për të bashkëpunuar ngushtë me të gjitha organet mbikëqyrëse dhe ekzekutive deri në sanimin e plotë të problemit të furnizimit me ujë.


