PRISHTINË – Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar të premten se formimi i institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 7 qershorit është përgjegjësi e përbashkët e të gjitha partive politike, secila sipas përfaqësimit që i ka dhënë populli, transmeton KohaNews.
Gjatë mbledhjes së kabinetit qeveritar në detyrë, Kurti theksoi se Kosova ka kaluar nëpër tri procese zgjedhore për Kuvendin në më pak se 16 muaj, duke vlerësuar se vetëm zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 ishin të rregullta, ndërsa dy të tjerat ishin të parakohshme dhe të evitueshme.
„Caktimi i datës për mbajtjen e seancës konstituive të legjislaturës së 11-të nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, është i mirëpritur. Partitë politike, secila sipas hises që populli i ka dhënë, gjendemi përpara përgjegjësisë për përmbushjen e detyrave për formimin e institucioneve të reja, përfshirë zgjedhjen e presidentit ose presidentes,“ u shpreh Kurti.
Afatet dhe sfidat për Qeverinë e re dhe Presidentin
Kurti bëri të ditur se kanë mbetur më së shumti dy javë deri te fillimi i seancës për konstituimin e Kuvendit, pas së cilës do të kalohet te procesi i formimit të Qeverisë së re dhe zgjedhja e kreut të shtetit.
Ai kujtoi se për zgjedhjen e Qeverisë mjafton shumica e thjeshtë parlamentare, ndërsa për zgjedhjen e presidentit kërkohet prania e dy të tretave të deputetëve në dy raundet e para, çka nënkupton se ky proces tejkalon fuqinë politike të një partie të vetme. Për këtë qëllim, ai përmendi takimet e zhvilluara më parë me krerët e PDK-së dhe LDK-së, duke shprehur sërish keqardhje që AAK-ja nuk iu bashkua ftesës për dialog.
/ KOHANEWS


