PRISHTINË – 10 shkurt 2026 | Ish-deputeti dhe ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Haxhi Shala, i njohur gjatë luftës me emrin e koduar “Topi”, është liruar nga qendra e paraburgimit në Hagë.
Lajmin e ka konfirmuar djali i tij, Flakron Shala, përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka publikuar edhe një fotografi me të atin brenda një veture, me mbishkrimin: “Mirë se erdhe në atdhe, babë!”.
Haxhi Shala ishte arrestuar në dhjetor të vitit 2023 nën dyshimet për pengim të administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve në kuadër të proceseve gjyqësorë që po zhvillohen në Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Lirimi i tij vjen në një ditë të ngarkuar me zhvillime nga Haga, ku paralelisht po dëgjohen fjalët përfundimtare të mbrojtjes së viktimave dhe prokurorisë në rastin e krerëve të tjerë të ish-UÇK-së.


