Kryetari i Komunës së Sarajit, Muhamet Elmazi, së bashku me ministrin e Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muhamet Hoxha, zv.ministren e Transportit dhe Infrastrukturës, Kaltrina Zekolli Shaqiri, deputeten e zonës Feride Haxhiu, këshilltarë të Këshillit të Qytetit të Shkupit dhe banorë lokalë, kanë inauguruar fillimin e punimeve për ndërtimin e ujësjellësit, kanalizimit atmosferik dhe rikonstruksionin e rrugëve në fshatin Llaskarcë, transmeton KohaNews.
Ky projekt i rëndësishëm, i fituar nga thirrja e dytë e qeverisë VLEN, pritet të përmirësojë ndjeshëm kushtet e jetesës për banorët, duke siguruar furnizim më të qëndrueshëm me ujë, menaxhim më të mirë të ujërave atmosferike dhe qarkullim më të sigurt në rrugë.
Komuna e Sarajit, nën drejtimin e kryetarit Muhamet Elmazi, ka theksuar se mbetet e përkushtuar për investime konkrete që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve dhe zhvillimin e vendbanimeve. Punimet në Llaskarcë shihen si një hap tjetër drejt modernizimit të infrastrukturës në gjithë territorin e komunës.
/KohaNews


