BOTË – Çmimet e naftës (dizel) në Evropë kanë shënuar një rritje rekord, duke kapërcyer vlerën prej 200 dollarësh për fuçi, niveli më i lartë ky në katër vitet e fundit. Ky shtrenjtim vjen si pasojë e frikës nga përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme dhe ndikimit të tij të drejtpërdrejtë në tregjet energjetike.
Sipas analizave të fundit, shkaktari kryesor i kësaj krize është ndërprerja e dërgesave përmes Ngushticës së Hormuzit, rrugë kjo strategjike që ka reduktuar ndjeshëm furnizimin në tregun global.
Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), Fatih Birol, ka lëshuar një paralajmërim alarmant për kontinentin evropian. Sipas tij, Evropa mund të përballet me mungesë të theksuar të naftës dhe karburantit për avionë që në muajin prill ose maj.
“Na kërcënon një tronditje shumë e madhe, më e madhja në histori,” deklaroi Birol, duke vënë në dukje rrezikun e ndërprerjeve të zinxhirit furnizues.
Përveç situatës në Lindjen e Mesme, presion shtesë mbi tregun po krijojnë edhe sulmet e fundit mbi infrastrukturën energjetike ruse, të cilat po kufizojnë mundësitë për eksport dhe po rrisin pasigurinë te konsumatorët e mëdhenj. Ekspertët parashikojnë se kjo valë shtrenjtimesh do të ketë efekte zinxhir edhe në çmimet e produkteve dhe shërbimeve të tjera në javët në vijim.


