Mickoski: Investimi i ri i “Cavo Otomotive” është konfirmim se Maqedonia ka një perspektivë të qartë dhe të parashikueshme ekonomike

Sot kemi edhe një lajm të rëndësishëm për ekonominë maqedonase, për zhvillimin industrial dhe për hapjen e vendeve të reja të punës.

 

Bëhet fjalë për investimin e kompanisë “Cavo Otomotive”, një kompani multinacionale me më shumë se katër dekada përvojë në industrinë automobilistike dhe e pranishme në tregjet ndërkombëtare si prodhuese e sistemeve të sigurisë, kabllove të operimit dhe mekanizmave për prodhuesit më të mëdhenj botërorë në sektorin automobilistik.

Kompania sot e realizon prodhimin e saj, siç dëgjuat, në Turqi dhe në Evropën Qendrore, duke furnizuar partnerë të shumtë të njohur nga industria automobilistike.

Investimi i ri do të realizohet në ZZHTI Tetovë dhe paraqet një tjetër konfirmim se po bëhemi një destinacion tërheqës për kompanitë që operojnë në industri me vlerë të lartë të shtuar dhe teknologji bashkëkohore të prodhimit.

Është planifikuar që në Tetovë të transferohet i gjithë prodhimi nga Turqia dhe Sllovakia.

Veçanërisht e rëndësishme është se në të ardhmen i gjithë prodhimi i kabllove kontrolluese të kompanisë do të realizohet pikërisht nga këtu, nga Tetova, gjë që përbën një konfirmim shtesë të besimit që investitori ka ndaj ekonomisë vendore maqedonase, fuqisë punëtore dhe klimës së biznesit.

Investimi, siç u përmend tashmë, do të fillojë me marrjen me qira të një objekti ekzistues, që do të thotë se bëhet fjalë për një investim “brownfield”, me sipërfaqe prej 8.000 metrash katrorë, ndërsa sipas planit zhvillimor të kompanisë, kapacitetet do të zgjerohen deri në 21.000 metra katrorë deri në vitin 2028.

Në pesë vitet e para, përkatësisht në periudhën 2026–2030, kompania planifikon të investojë përafërsisht, siç u përmend tashmë, rreth 20–21 milionë euro.

Ky investim do të sjellë edhe mundësi të reja punësimi. Sipas planit biznesor të kompanisë, do të hapen diku 400-500 vende të reja pune, në momentin kur kompania të arrijë kapacitetin e saj të plotë.

Përveç kësaj, projekti do të ketë një ndikim të konsiderueshëm pozitiv në eksport, pasi plani i tyre është që eksporti të arrijë deri në 45 milionë euro në vit.

Ky nuk është vetëm një investim në shifra. Ky është një investim në besim.

Besim tek institucionet.
Besim në politikat ekonomike.
Besim në stabilitetin e shtetit.

Kur një kompani e huaj merr vendim që një pjesë të prodhimit të saj ta zhvendosë pikërisht këtu, tek ne, kjo do të thotë se ka njohur siguri, parashikueshmëri dhe një perspektivë të qartë ekonomike.

Në periudhën e kaluar, shumëkush fliste se investitorët do të largoheshin, se zonat industriale do të stagnonin dhe se ekonomia nuk kishte kapacitet për zhvillim të ri. Por kam një lajm të keq për ta. Jo vetëm që gjërat po ecin shumë mirë, përkatësisht shumë më mirë se kurrë më parë, por edhe faktet e tregojnë të kundërtën.

Kompani të reja po vijnë, investitorët ekzistues po i zgjerojnë kapacitetet e tyre, ndërsa vendi po bëhet gjithnjë e më i dukshëm në hartën e industrisë evropiane.

Pikërisht për këtë arsye, çdo investim të ri e shohim si pjesë të një strategjie më të gjerë. Ne nuk po ndërtojmë një ekonomi të bazuar në huamarrje dhe truke statistikore. Po ndërtojmë një ekonomi që mbështetet në prodhim, investime, eksport dhe rritje reale ekonomike.

Dhe për këtë arsye, investimi i sotëm i “Cavo Otomotive” është edhe një tregues se po lëvizim në drejtimin e duhur.

Ky është një mesazh për çdo të ri që mendon për të ardhmen e tij. Ky është një mesazh për çdo punëtor, inxhinier, teknik dhe sipërmarrës. Ky është një mesazh se shteti po bëhet sërish një vend ku ia vlen të investosh, të punosh dhe të ndërtosh të ardhmen.

Vazhdojmë me më shumë energji, më shumë investime dhe më shumë mundësi për qytetarët.

Qëllimi ynë është i qartë – një ekonomi e fortë, standard më i lartë jetese dhe një shtet që zhvillohet me ritme të përshpejtuara.

 

TË NDRYSHME

TË FUNDIT