Miliona të shpërdoruara? Banka Botërore: Shqipëria paguan shtrenjtë për infrastrukturë të amortizuar.

Banka Botërore “shuplakë” Qeverisë: Miliona euro shpenzime, por rrugët mbeten të amortizuara

Një raport i fundit i Bankës Botërore ka nxjerrë në pah dështimet strukturore në sektorin e transportit në Shqipëri. Edhe pse vendi shpenzon rreth 7.5% të buxhetit për infrastrukturën (ndër nivelet më të larta në rajon), efikasiteti dhe cilësia mbeten në nivele kritike.

 

Pikat kryesore të raportit:

  • Rrugët në gjendje të rëndë: Ndonëse rrugët mbartin 98% të trafikut të pasagjerëve, pjesa dërrmuese, sidomos akset rurale dhe rajonale, vuajnë nga mungesa e mirëmbajtjes dhe standardeve të sigurisë.

  • Hekurudha “në vdekje”: Mbi 70% e linjave hekurudhore janë të shkatërruara, duke e bërë këtë sektor pothuajse jofunksional për integrimin rajonal.

  • Flota e vjetëruar: Numri i automjeteve është rritur me 114% në dekadën e fundit, por 90% e tyre janë më të vjetra se 10 vjet, duke e kthyer transportin në emetuesin e dytë më të madh të ndotjes (22%).

  • Cenueshmëria klimatike: Përmbytjet në akset kyçe si Tiranë–Durrës dhe Durrës–Vlorë shkaktojnë dëme vjetore prej rreth 35 milionë dollarësh në rrugë, ura dhe prita.

“Dushi i ftohtë” për Ministrinë e Infrastrukturës

Banka Botërore thekson se Shqipëria mund të kishte rezultate 29% më të larta në cilësinë e rrugëve me të njëjtat para, nëse investimet do të menaxhoheshin me efikasitet. Sipas raportit, optimizimi i investimeve do të rriste PBB-në për frymë me 0.1 pikë përqindje deri në vitin 2050.

Rekomandimet emergjente të Bankës Botërore:

  1. Buxhet i dedikuar: Krijimi i një fondi specifik vetëm për mirëmbajtjen e urave dhe strukturave ekzistuese.

  2. Kontrolli i mjeteve: Transparencë dhe kritere më të forta për importin e makinave të përdorura.

  3. Hekurudhat: Mobilizimi i kapitalit privat për të ringritur rrjetin hekurudhor.

  4. Mobiliteti i gjelbër: Reduktimi i varësisë nga mjetet fosile dhe ndërtimi i infrastrukturës së karikimit elektrik.

Raporti përfundon me një paralajmërim të qartë: Pa një reformë rrënjësore institucionale dhe pa luftuar “vrimat e zeza” të shpenzimeve pa efikasitet, sektori i transportit do të mbetet një pengesë për konkurrueshmërinë tregtare dhe turizmin në vend.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT