Ndeshja e fundit kontrolluese e Shkëndijës në Slloveni solli edhe debutimin jozyrtar të Almir Kryeziut me fanellën kuqezi. Sulmuesi anësor u inkuadrua në minutën e 76-të të barazimit 2:2 ndaj Zorya Luhansk.
Përballja e fundit kontrolluese e Shkëndijës gjatë fazës përgatitore në Slloveni ka sjellë edhe minutat e para të Almir Kryeziut me fanellën kuqezi. Futbollisti ofensiv, i cili iu bashkua skuadrës vetëm një ditë më parë, u aktivizua në minutën e 76-të të ndeshjes ndaj Zorya Luhansk, që përfundoi me rezultat 2:2.
Kryeziu gradualisht po integrohet me ekipin dhe pritet të arrijë formën optimale për të qenë i gatshëm për sfidat zyrtare që e presin Shkëndijën në eliminatoret e UEFA Conference League.
Ndërkohë, në ndeshjen e sotme nuk ishte në dispozicion braziliani Rafa, i cili gjatë stërvitjeve ka pësuar një zgjatje muskulore dhe aktualisht po trajtohet nga ekipi mjekësor i klubit. Probleme fizike dhe lëndime kishin edhe portierët Astrit Amzaj dhe Babacar Gaye, të cilët nuk ishin në kombinim për paraqitje, ndërsa të gjithë minutat në portë i zhvilloi Ferat Ramani.
Pas përfundimit të fazës përgatitore në Slloveni, ekspedita kuqezi sonte kthehet në Tetovë, ku do të vazhdojë përgatitjet për ndeshjen e parë të raundit kualifikues të UEFA Conference League kundër Europa FC.


