Murtezani dhe Geleva prezantojnë sot platformat diplomatike për NATO dhe Këshillin e Evropës

SHKUP, 3 QERSHOR – Ish-ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, si dhe diplomatja Svetlana Geleva, sot para anëtarëve të Komisionit për Politikë të Jashtme dhe Tregti të Jashtme në Kuvend do t’i prezantojnë platformat e tyre për aktivitetet diplomatike, si ambasadorë të rinj të vendit në misione të rëndësishme ndërkombëtare.

 

Murtezani do të shpalosë programin dhe qëllimet e tij si ambasador i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë, respektivisht Shef i Delegacionit të Përhershëm të Republikës së Maqedonisë së Veriut pranë NATO-s në Bruksel. Kjo pozitë kishte mbetur vakante që nga janari i vitit 2025, kur përfundoi mandati i ambasadorit të kaluar, Dane Taleski.

Në të njëjtën seancë, para anëtarëve të këtij komisioni parlamentar, platformën e saj do ta prezantojë edhe Svetlana Geleva. Ajo do të jetë ambasadore e jashtëzakonshme dhe fuqiplotë, si dhe Përfaqësuese e Përhershme e Republikës së Maqedonisë së Veriut pranë Këshillit të Evropës në Strazburg.

Prezantimi i platformave para Komisionit amë në Kuvend është hapi i fundit procedural përpara nisjes zyrtare të diplomatëve në misionet e tyre jashtë vendit.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT