Musliu: Sulmi në Ibër-Lepenc, operacion i shërbimeve sekrete serbe

Eksperti i sigurisë, Agim Musliu, ka deklaruar se sulmi terrorist në kanalin “Ibër-Lepenc” është kryer nga persona të rekrutuar dhe të trajnuar nga Shërbimi Sekret Ushtarak i Serbisë. Ai e cilësoi aktin si një operacion të mirëplanifikuar, me armë dhe eksploziv ushtarak, që përfshinte edhe vëzhgime të sigurisë, duke përfshirë lëvizjet e KFOR-it dhe bazat e Njësive Speciale të Policisë.

 

Njëri nga të pandehurit, Jovan Viçentijeviq, i identifikuar si toger i shërbimit serb, dyshohet për pjesëmarrje në sulm dhe aktivitete spiunazhi, përfshirë propagandën e krijimit të një organizate të rreme për “çlirimin e trojeve shqiptare”, me qëllim baltosjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe krijimin e konfuzionit tek ndërkombëtarët.

Musliu e përshkroi sulmin si një shembull tipik të operacioneve hibride serbe, duke theksuar strategjinë: “Kryej aktin, akuzo tjetrin, krijo huti tek ndërkombëtarët dhe përdor Kosovën për propagandë”.

Eksperti gjithashtu nxori në pah provën gjeologjike të FBI-së, sipas së cilës mostrat e dheut të gjetura në çizmet e vëllezërve Viçentijeviq përputhen me dheun e Ibër-Lepencit, duke rrëzuar narrativën serbe për një “inskenim”.

Musliu përfundoi se Kosova ka bërë pjesën e vet, ndërsa tani është radha e partnerëve ndërkombëtarë që të kuptojnë situatën dhe të mos bien pre e propagandës serbe.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT