PRISHTINË – Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për Kryeministër, Bedri Hamza, ka shprehur gatishmërinë e tij të plotë për një përballje direkte televizive me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin.
Gjatë një prononcimi, Hamza theksoi se është i hapur për debat në çdo kohë dhe në çdo studio televizive, duke e konsideruar këtë si një obligim ndaj qytetarëve. Sipas tij, publiku duhet të ketë mundësinë të shohë ballafaqimin e vizioneve dhe ekipeve që synojnë të udhëheqin vendin.
“Sigurisht se po. Në cilëndo studio televizive, jo me qëllim për ne të dy, por për publikun. Publiku ka të drejtë me na pa se çka përfaqësojmë, me çfarë programi e vizioni e ekipe garojmë,” u shpreh Hamza.
Ai shtoi se debati duhet të zhvillohet në një frymë konstruktive, duke garantuar se nga ana e tij do të ketë gjithmonë respekt reciprok. Ky ftesë për debat vjen në një kohë kur diskursi mbi ofertat zgjedhore po intensifikohet, ndërsa mbetet të shihet nëse do të ketë një përgjigje pozitive nga ana e Kryeministrit aktual, Albin Kurti.


