SHKUP/OHËR – Ndërtimi i autostradës Kërçovë – Ohër, një projekt që zvarritet prej vitesh, pritet të arrijë vlerën përfundimtare prej 770 milionë eurosh. Lajmin e konfirmoi zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, duke saktësuar se kostoja për kilometër për këtë aks është 13.5 milionë euro.
Edhe pse shifra është tejet e lartë, Nikolloski theksoi se në krahasim me projektet e reja, kjo mbetet autostrada “më e lirë” që po ndërtohet aktualisht në Maqedoninë e Veriut.
Krahasimi i çmimeve për kilometër:
Për të ilustruar gjendjen e infrastrukturës rrugore, ministri paraqiti shifra krahasuese për akset e tjera:
-
Ohër – Kërçovë: 13.5 milionë euro/km
-
Korridoret 8 dhe 10 (Bechtel & Enka): 15.5 – 16 milionë euro/km
-
Shkup – Bllacë: Rreth 21 milionë euro/km
-
Kërçovë – Bukojçan: Rreth 21 milionë euro/km
Kur do të jetë gati autostrada?
Sipas paralajmërimeve të Nikolloskit, punimet ndërtimore duhet të përfundojnë brenda këtij viti. Megjithatë, lëshimi i plotë në përdorim dhe finalizimi i dokumentacionit pritet në pranverë:
“Punimet duhet të përfundojnë deri në fund të vitit 2026, ndërsa në muajin maj duhet të marrim lejen e përdorimit. Për fat të keq, deri më tani nuk janë dhënë leje të tilla për shumicën e rrugëve në vend,” u shpreh Nikolloski.
Problemi me kompaninë kineze “Sinohydro”
Nga gjithsej 57 kilometra, 37 janë përfunduar, ndërsa 34 kilometra janë tashmë në funksion falë nënkontraktorëve vendas si “Granit” dhe “Ilinden”. Pengesa kryesore vjen nga kompania kineze “Sinohydro”, e cila është përgjegjëse për 20 kilometrat e mbetura.
Nikolloski paralajmëroi një takim urgjent me udhëheqësinë e kompanisë kineze për Evropën, me qëllim përshpejtimin e dinamikës së punimeve, e cila aktualisht nuk është në nivelin e duhur.
Kujtojmë se për këtë projekt së fundmi u nënshkrua aneksi i tetë i kontratës, me një kosto shtesë prej 186 milionë eurosh nga buxheti i shtetit.


