Numërimi mbrapsht për krerët e UÇK-së: Edhe 40 ditë deri te vendimi i madh në Hagë

Gjykatësit e Dhomave të Specializuara kanë hyrë në fazën finale të shqyrtimit të lëndës për krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nëse nuk kërkohet afat shtesë, data 19 maj shënon afatin e fundit për shpalljen e aktgjykimit.

 

Hagë, 9 prill 2026 – Kanë kaluar saktësisht 50 ditë që nga 19 shkurti, kur trupi gjykues u tërhoq për të marrë vendimin pas përfundimit të procesit gjyqësor ndaj krerëve të UÇK-së. Sipas Rregullores së Gjykatës Speciale, gjyqtarët kanë në dispozicion gjithsej 90 ditë për të shpallur vendimin, që në këtë rast përkon me datën 19 maj.

Çfarë parashikon rregullorja?

Gjykata ka sqaruar se procesi i vendimmarrjes mund të zgjatet vetëm në rrethana të jashtëzakonshme.

  • Afati standard: 90 ditë pas mbylljes së çështjes.

  • Shtyrja e mundshme: Edhe 60 ditë shtesë, vetëm nëse është “absolutisht e nevojshme”.

Deri më tani, Gjykata Speciale ka konfirmuar për mediat se nuk ka asnjë kërkesë zyrtare për shtyrje të afatit. “Aktualisht nuk ka asnjë vendim që tregon se do të kërkohet kohë shtesë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës, duke lënë fuqi datën 19 maj si afatin final.

Polemikat mbi “provat e reja”

Pavarësisht se gjykimi ka përfunduar zyrtarisht, Prokuroria ka dorëzuar materiale shtesë gjatë muajit mars. Mbrojtja e Hashim Thaçit ka reaguar me pretendimin se po dorëzohen prova të reja jashtë procedurës. Megjithatë, trupi gjykues i ka hedhur poshtë këto pretendime, duke sqaruar se panelit të gjyqtarëve profesionalë i lejohet të vlerësojë vetëm provat e pranuara gjatë procesit gjyqësor.

Vazhdimi i paraburgimit

Edhe pse procedura ka përfunduar dhe pritet vetëm aktgjykimi, krerët e UÇK-së vazhdojnë të mbahen në paraburgim në Hagë. Gjyqtarët do të vendosin për secilën pikë të akuzës veç e veç, ndërsa vëmendja e opinionit publik në Kosovë dhe më gjerë është kthyer kah Haga, në pritje të verdiktit që do të vulosë epilogun e këtij procesi maratonik.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT