MANCHESTER – Vendimi i Pep Guardiolës për t’u larguar nga stoli i Manchester Cityt duket se nuk ka lidhje me motive profesionale, por me një krizë të thellë familjare. Trajneri spanjoll po kalon një proces divorci nga bashkëshortja e tij, Cristina Serra, çka besohet se ka qenë edhe shtytësi kryesor drejt këtij hapi drastik.
Guardiola do të udhëheqë skuadrën angleze për herë të fundit këtë javë në dy ndeshjet e mbetura të kampionatit, duke i dhënë lamtumirën klubit pas një dekade të suksesshme – një vit përpara përfundimit zyrtar të kontratës së tij.
Rinovimi në Angli dhe vendimi i bashkëshortes
Sipas raportimeve, distanca dhe rinovimi i fundit i kontratës së teknikut në Manchester ishin pikat e kthesës që çuan në krisjen e martesës. Cristina Serra kishte vendosur kohë më parë të kthehej përfundimisht në Spanjë, duke u larguar nga Anglia dhe duke nisur zyrtarisht procedurat e divorcit.
Edhe pse trajneri është përpjekur përgjatë muajve të fundit për të gjetur një rrugë drejt ribashkimit familjar, ai e ka pasur të qartë se një gjë e tillë ishte e pamundur duke qëndruar në Angli. Kjo situatë e ka detyruar atë të ndërpresë para kohe marrëveshjen me Cityn.
Vila 15 milionë euro në Barcelonë si tentativë pajtimi
Kjo hipotezë përforcohet nga lëvizjet e fundit të Guardiolës në tregun e patundshmërive. Ai po shpenzon rreth 15 milionë euro për blerjen e një vile luksoze në Barcelonë, e cila ndodhet vetëm pak metra larg rezidencës ku aktualisht banon bashkëshortja e tij.
Ky investim shihet qartë si një përpjekje e fundit e Pep për të qenë sa më pranë familjes. Pas largimit nga Premier Liga, mediat ndërkombëtare aludojnë se Guardiola do të tërhiqet përkohësisht nga drejtimi i klubeve të përditshme për t’u fokusuar te futbolli i kombëtareve, një angazhim ky që i krijon më shumë hapësirë dhe kohë të lirë për t’iu dedikuar jetës private.


