Prizreni ka shënuar një arritje të rëndësishme duke u bërë qyteti i parë në Kosovë dhe njëherësh i pari në botë jashtë Shteteve të Bashkuara të Amerikës që i është bashkuar nismës America250. Ky program shënon 250-vjetorin e Pavarësisë së SHBA-së.
Mesazhi i Vlora Çitakut
Deputetja Vlora Çitaku e ka mirëpritur këtë zhvillim, duke e vlerësuar si një dëshmi të orientimit strategjik të Kosovës.
“Prizreni bëhet qyteti i parë, ndërsa Kosova vendi i parë në botë jashtë Shteteve të Bashkuara që i bashkohet programit America250… Kjo është një tjetër dëshmi se miqësia me Amerikën nuk është vetëm pjesë e historisë sonë, por edhe e orientimit tonë të palëkundur për të ardhmen,” theksoi Çitaku.
Ajo përgëzoi kryetarin e Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, për këtë iniciativë, duke shtuar se marrëdhënia me SHBA-në duhet të mbetet interesi kryesor shtetëror, përtej politikës ditore.


