Qeveria aktivizon masa urgjente kundër ndotjes së ajrit në Shkup, Kërçovë dhe Strumicë: Gratë shtatzëna dhe të sëmurët kronikë lirohen nga puna
Shkup, 19 dhjetor 2025 – Pas Kërçovës dhe Strumicës, sot masat urgjente kundër ndotjes ekstreme të ajrit janë aktivizuar edhe në Shkup, pasi stacionet matëse regjistruan tejkalim të konsiderueshëm të kufijve të lejuar të grimcave të dëmshme PM10 në disa komuna skopjane. Mjegulla e dendur po e përkeqëson edhe më shumë situatën, ndërsa nivele të larta ndotjeje raportohen edhe në qytete të tjera të Maqedonisë së Veriut.
Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor ka aktivizuar protokollet për mbrojtjen e shëndetit publik, me fokus të veçantë te kategoritë më të ndjeshme të qytetarëve.
Kush lirohet nga detyrat e punës? Sipas vendimit të Qeverisë, punëdhënësit janë të obliguar t’i lirojnë nga obligimet e punës personat në vijim:
- Gratë shtatzëna;
- Personat mbi 60 vjeç;
- Personat me astmë kronike;
- Personat që kanë kaluar infarkt miokardi ose goditje në tru, pavarësisht moshës.
Apel nga mjekët Pulmologët u bëjnë thirrje qytetarëve të minimizojnë qëndrimin jashtë, sidomos nëse nuk kanë nevojë urgjente për të dalë.
“Në orët e hershme të mëngjesit dhe vonë në mbrëmje, përqendrimet e grimcave të dëmshme janë më të larta. Nëse është e domosdoshme lëvizja, rekomandojmë përdorimin e transportit publik në vend të automjeteve private”, këshillojnë mjekët.
Institucionet kompetente apelojnë te qytetarët që të ndjekin rregullisht rekomandimet zyrtare dhe njoftimet deri sa të zgjasë episodi i ndotjes së lartë të ajrit.
Qeveria dhe autoritetet lokale po monitorojnë vazhdimisht situatën, ndërsa pritet që masat të zgjasin derisa cilësia e ajrit të kthehet në nivele të pranueshme. Qytetarët inkurajohen të përdorin aplikacionet zyrtare për matjen e ajrit dhe të shmangin aktivitete fizike jashtë.


