SHKUP – Koordinatori i Grupit Parlamentar të koalicionit VLEN, Bekim Qoku, ka shuar zërat për një largim të mundshëm të Lëvizjes BESA nga ekzekutivi. I ftuar në emisionin “Click Plus” në TV21, Qoku ishte i prerë: Lëvizja BESA mund ta braktisë Qeverinë vetëm nëse një hap të tillë e bën i gjithë koalicioni VLEN.
“BESA është VLEN dhe VLEN-i është Besë”
Gjatë intervistës, Qoku theksoi unitetin e forcave brenda koalicionit, duke sqaruar se nuk ka vendime të ndara partiake kur bëhet fjalë për stabilitetin qeverisës.
“Nuk është se po doli BESA, del VLEN-i, por çdo vendim i Besës është vendim i VLEN-it. Besa është VLEN dhe VLEN-i është Besë,” u shpreh Qoku, duke shtuar se synimi i tyre final është që në të ardhmen të mos ekzistojnë më ndarjet si LD, ASH apo Alternativa, por të funksionojnë si një subjekt i vetëm nën logon e VLEN.
Pozicioni i Fatmir Limanit
I pyetur specifikisht për raportet pas zhvillimeve të fundit dhe pozitën e ministrit Fatmir Limani, Qoku sqaroi se Limani mbetet pjesë e strukturave të Lëvizjes BESA, të cilat janë ende funksionale. Ai nënvizoi se krerët e koalicionit, përfshirë Bilall Kasamin, Izet Mexhitin dhe të tjerët, flasin dhe veprojnë në emër të unitetit të VLEN-it.
Ky qëndrim vjen si përgjigje ndaj spekulimeve për rritje të tensioneve brenda koalicionit, duke konfirmuar se rruga e partnerëve shqiptarë në qeveri mbetet e përbashkët.


