Ragip Xhaka nuk kandidohet për deputet në Kosovë, por mbetet aktiv në PDK

Ragip Xhaka, babai i futbollistit të njohur Granit Xhaka dhe Kryetar i Degës së PDK-së në Zvicër, ka njoftuar se nuk do të jetë pjesë e garës për deputet në Kuvendin e Kosovës në zgjedhjet e ardhshme.

 

Në një komunikatë të drejtuar bashkatdhetarëve dhe qytetarëve të Kosovës, Xhaka shprehu mirënjohjen e tij për Partinë Demokratike të Kosovës dhe ish-kryetarin Memli Krasniqi, si dhe kryetarin aktual Bedri Hamza, për besimin dhe vlerësimin e dhënë gjatë zgjedhjeve të kaluara.

“Pas një vlerësimi të kujdesshëm dhe për shkak të obligimeve të shumta familjare, profesionale dhe angazhimeve në Zvicër, kam vendosur që këtë herë të mos marr pjesë në garë. Ky vendim ka ardhur me përgjegjësi dhe me respekt të madh për procesin zgjedhor dhe për të gjithë ju që keni besim tek unë”, tha Xhaka.

Ai falënderoi qytetarët e Kosovës që në zgjedhjet e kaluara e nderuan me mbi 18,000 vota, duke theksuar se ky besim mbetet një përgjegjësi dhe mirënjohje që do ta mbajë gjithmonë me krenari.

Megjithatë, Ragip Xhaka siguroi se do të vazhdojë të jetë aktiv politikisht si Kryetar i Degës së PDK-së në Zvicër, duke mbështetur maksimalisht fitoren e partisë dhe kandidaturën e Bedri Hamzës për Kryeministër. Ai do të jetë në dispozicion të strukturave dhe aktivistëve të PDK-së për të dhënë kontributin e tij gjatë këtij procesi zgjedhor.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT