Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka zhvilluar një takim me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, në Qendrën e Paraburgimit pranë Gjykatës Speciale në Hagë.
Pas takimit, Rama ka deklaruar se e ka gjetur Thaçin në gjendje të mirë fizike dhe shpirtërore, të qetë dhe me qëndrim të palëkundur. Ai ka theksuar se, pavarësisht kufizimeve që sipas tij i janë vendosur të drejtave elementare të ish-presidentit, Thaçi vazhdon të ruajë dinjitetin dhe forcën morale.
Sipas Ramës, gjatë takimit janë biseduar tema personale dhe shoqërore, për familjet, miqtë e përbashkët, si dhe për çështje që lidhen me Shqipërinë dhe Kosovën. Ai ka përmendur edhe interesimin e Thaçit për librat, duke theksuar se i ka dërguar atij vepra të reja për lexim gjatë qëndrimit në paraburgim.
Kryeministri shqiptar ka përsëritur kritikat e tij ndaj procesit në Hagë, duke e cilësuar atë si një padrejtësi të rëndë në zemër të Evropës demokratike, ndërsa ka shprehur solidaritet me ish-krerët e UÇK-së dhe institucionet e Republikës së Kosovës.


