Kryeministri Edi Rama reagoi pas kërkesës së SPAK drejtuar Kuvendit për autorizimin e heqjes së imunitetit të zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Në një reagim në rrjetet sociale, Rama kritikoi praktikën e arrestimeve pa gjyq, duke e cilësuar atë si një dukuri problematike që bie ndesh me standardet demokratike evropiane dhe që, sipas tij, ka ngritur shqetësime edhe në Këshillin e Europës.
Rama theksoi se nuk do ta paragjykojë kërkesën e prokurorit special, por nënvizoi se shumica qeverisëse do të angazhohet me përgjegjësi të plotë për të mbajtur një qëndrim të drejtë, të qartë dhe të denjë. Sipas tij, duke qenë se Kuvendit i kërkohet të japë opinion për këtë rast, mazhoranca do të veprojë në përputhje me përgjegjësinë që ka ndaj qytetarëve dhe në frymën e Reformës në Drejtësi.


