Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, ka vlerësuar përpjekjet e qeverisë shqiptare për përparimin e shpejtë të vendit në procesin e integrimit evropian, duke theksuar hapjen e të gjithë grupkapitujve negociues brenda vetëm 13 muajsh. Në një prononcim nga Brukseli për mediet, Kos e cilësoi këtë si dëshmi të fortë të lidershipit politik dhe angazhimit maksimal për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, duke nënvizuar se mbi 90 për qind e qytetarëve shqiptarë e mbështesin këtë proces.
Ajo shtoi se progresi i Shqipërisë është njohur edhe nga vendet anëtare të BE-së, ndërsa Presidenca e Këshillit të Evropës miratoi sot konkluzionet për zgjerimin, duke përshëndetur përparimin e konsiderueshëm të arritur nga Shqipëria. Këshilli theksoi se hapja e të gjithë grupkapitujve është rezultat i reformave dhe bëri thirrje për bashkëpunim të gjerë politik dhe institucional për të garantuar vazhdimin e suksesit në fazat e ardhshme të negociatave.


