Qendërmbrojtësi uruguaian, Ronald Araujo, mund të mos e veshë më fanellën e Barcelonës. Sipas raportimit të “COPE”, 26-vjeçari është emocionalisht shumë i prekur pas kartonit të kuq në ndeshjen dramatike ndaj Çelsit në Ligën e Kampionëve.
Gjendja e tij psikologjike thuhet se është më e ndërlikuar sesa dukej fillimisht, dhe brenda klubit është hapur dilema nëse lojtari mund të vendosë të mos vazhdojë më me Barcelonën, për të shmangur ngarkesën e lartë emocionale që po përjeton.
Humbja e rëndë ndaj Çelsit ka shkaktuar tronditje te katalanasit, ndërsa presidenti Joan Laporta ka kërkuar qetësi e mbështetje nga tifozët. Në javët e fundit, trajneri Hansi Flick e ka lënë Araujo-n jashtë formacionit në disa ndeshje radhazi, gjë që ka përkeqësuar distancimin e tij nga projekti i ekipit.
Araujo mbante shiritin e kapitenit në atë ndeshje vendimtare, por situata e krijuar ka bërë që raportet e tij me klubin të tensionohen dukshëm. Qendërmbrojtësi ka kontratë deri në vitin 2031, ndërsa vendimi i tij për të ardhmen pritej të merrej në janar.
Për momentin, Barcelona po monitoron situatën me kujdes dhe nuk ka një qëndrim zyrtar, por burimet e brendshme nuk e përjashtojnë mundësinë e një skenari drastik.


