Seanca gjyqësore për vrasjen e Liridona Ademajt nuk mbahet sot

Seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj të akuzuarve Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla, e planifikuar për sot, më 12 dhjetor 2025, në orën 09:30, është anuluar.

 

Gjykata ka njoftuar se arsyeja e shtyrjes është pamundësia e pjesëmarrjes së gjyqtarit Alban Ajvazi, një nga anëtarët e trupit gjykues. Data e re e seancës është caktuar për 22 dhjetor 2025, po në orën 09:30.

Të tre të akuzuarit po gjykohen për vrasje të rëndë në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt. Sipas raportit të Institutit të Psikiatrisë Forenzike të Kosovës, Naim Murseli nuk ka pasur çrregullime ose sëmundje mendore në kohën e kryerjes së veprës penale.

Në seancën fillestare, më 31 janar 2025, Naim Murseli u deklarua i pafajshëm, Granit Plava nuk dha deklaratë për fajësinë, ndërsa Kushtrim Kokalla preferoi të mos deklarohej pa u konsultuar me mbrojtjen. Ndërsa, i akuzuari Tom Dodaj pranoi fajësinë dhe u dënua me 5 vjet burgim dhe 5,000 euro gjobë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë më 15 janar 2025 ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tom Dodajt.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT