Kryetari i Komunës së Zhelinës nga radhët e Lëvizjes BESA, Blerim Sejdiu, ka lëshuar një thirrje të fuqishme drejtuar partnerëve të koalicionit VLEN, duke kërkuar reflektim të thellë dhe tejkalim të interesave të ngushta. Në një mesazh të qartë, Sejdiu ka bërë të ditur se qëllimi i BESËS nuk ka qenë “numërimi i karrigeve”, por ndryshimi i rrjedhës së politikës shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Ulja e “flamujve të egoizmit” dhe sakrifica politike
Sejdiu ka rikujtuar zanafillën e VLEN-it, duke theksuar se Lëvizja BESA ka investuar kapital të madh politik, besim dhe sakrificë. Sipas tij, partia ka vendosur mbi tavolinë një projekt më të madh se secili subjekt veç e veç, duke “ulur flamujt e egoizmit politik” për t’i dhënë shqiptarëve një alternativë serioze.
“E bëmë këtë sepse shqiptarët kishin nevojë për një bashkim… për një politikë që nuk e sheh pushtetin si pronë, por si përgjegjësi,” u shpreh ai.
Tejkalimi i kalkulimeve afatshkurtra
Në shkrimin e tij, Sejdiu nënvizon se VLEN lindi si një “domosdoshmëri historike” dhe si një kompromis i fortë përballë lodhjes së qytetarëve nga politikat e përçarjes. Ai vuri në dukje se janë tejkaluar interesat e ngushta partiake, ambiciet individuale dhe kalkulimet afatshkurtra, vetëm për të ndërtuar një projekt me vizion të qartë euro-perëndimor dhe përfaqësim dinjitoz e të barabartë.
Mesazh eksponentëve politikë: Stop ultimatumeve dhe egos
Përballë tensioneve aktuale, Sejdiu kërkon që të gjithë faktorët brenda koalicionit të bëjnë të njëjtën gjë: të tejkalojnë egot, kushtëzimet dhe retorikat e momentit. Ai paralajmëron se koalicionet nuk mund të mbahen gjallë me “matematikë të ngushtë përfaqësimi” apo me ultimatume.
“Nëse secili fillon ta masë peshën e vet vetëm me përqindje dhe pozicionim formal, atëherë rrezikojmë ta zëvendësojmë misionin me kalkulim,” thotë prerë Sejdiu.
Mandati nuk është pronë e partive
Kreu i Zhelinës theksoi se përgjegjësia e tyre nuk është ndaj strukturave partiake, por ndaj qytetarëve shqiptarë që presin stabilitet dhe zhvillim. Ai argumenton se:
-
Rruga e vazhdimit është më e vlefshme se rruga e stagnimit.
-
Hapja e perspektivës për gjeneratat e reja është më e rëndësishme se mbyllja në logjikën e momentit.
-
Mandatet janë besim i qytetarëve dhe jo pronë e partive.
Thirrje për pjekuri dhe unitet
Në fund të mesazhit të tij, Blerim Sejdiu deklaron se Lëvizja BESA mbetet e palëkundur në përkushtimin e saj ndaj frymës së unitetit dhe forcimit të VLEN-it, mbi parimet e barazisë dhe respektit të ndërsjellë. Ai fton të gjithë partnerët të zgjedhin “rrugën e vazhdimit dhe jo të ndarjes”, pasi qytetarët nuk kanë dhënë mandat për përçarje, por për ndryshim rrënjësor.


