“Shqiponja” rikthehet në skenë: Granit Xhaka ndez polemikat në Zvicër para Botërorit 2026

Starti i Kupës së Botës 2026 në SHBA ka nisur me temperatura të larta jashtë fushe për Kombëtaren e Zvicrës. Shkak është bërë sërish kapiteni me origjinë shqiptare, Granit Xhaka, i cili ka rindezur debatet e vjetra në opinionin publik zviceran duke bërë simbolin e shqiponjës dykrenare para kamerave në San Diego.

 

Ngjarja ka ndodhur të shtunën, kur lojtarët e Zvicrës ishin të pranishëm si spektatorë në një ndeshje bejsbolli mes San Diego Padres dhe Nju Jork Mets. Në momentin që kamera e stadiumit u fokusua te futbollistët zviceranë, Xhaka ka përshëndetur duke formuar shqiponjën me duar. Një veprim i tillë u kopjua menjëherë edhe nga shoku i tij i skuadrës, Rikardo Rodriguez.

Ky gjest ka rikthyer menjëherë në kujtesë tensionet e mëdha të Botërorit 2018 pas ndeshjes me Serbinë, ku festimet e Xhakës, Shaqirit dhe Lihtshtajnerit shkaktuan një tërmet të vërtetë politik dhe sportiv në Zvicër, që çoi deri në dorëheqjen e Sekretarit të Përgjithshëm të Federatës së atëhershme.

Federata Zvicerane reagon me shpejtësi për të shuar “zjarri”

Për të parandaluar përshkallëzimin e situatës në prag të turneut të madh, Federata Zvicerane e Futbollit ka reaguar menjëherë përmes zëdhënësit të saj, Adrian Arnold, i cili u mundua të minimizojë përmasat e ngjarjes:

“Edhe në miqësoren kundër Australisë në San Diego, shumë persona me origjinë shqiptare ishin në stadium dhe mbështetën me zë të lartë Granitin dhe ekipin zviceran. Granit Xhaka, si shumë lojtarë të tjerë, u ndal pas ndeshjes për autografe dhe selfie. Në mbrëmje, ai shfrytëzoi rastin për të përshëndetur përsëri komunitetin shqiptar. Kjo skenë nuk ndodhi në fushë dhe nuk ishte pjesë e ngjarjes sportive”, sqaroi Arnold.

Ndarja e opinionit publik

Pavarësisht përpjekjeve të Federatës për të qetësuar gjakrat, mediat dhe tifozët në Zvicër janë përfshirë sërish në diskutime të ashpra. Një pjesë e kritikojnë kapitenin duke kërkuar fokus maksimal te Zvicra përpara ndeshjeve të Botërorit, ndërsa pjesa tjetër e konsideron një përshëndetje legjitime dhe paqësore jashtë aktiviteteve zyrtare të futbollit.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT