SPORT / AUSTRIA – Një zyrtar i klubit austriak Altach është dënuar me shtatë muaj burg me kusht dhe një gjobë prej vetëm 1.200 eurosh, pasi u shpall fajtor për xhirime dhe fotografime të fshehta të futbollisteve në momente intime. Vendimi i gjykatës ka shkaktuar një valë indinjate në opinionin publik, i cili e konsideron dënimin qesharak në raport me krimin.
Detajet e skandalit pesëvjeçar
Sipas mediave ndërkombëtare, përfshirë The Guardian, personi në fjalë, i cili kishte shërbyer edhe si gjyqtar i nivelit të lartë në Zvicër, kishte instaluar pajisje përgjimi në dhomat e zhveshjes, palestër dhe dushe. Veprimtaria e tij e jashtëligjshme ka zgjatur nga viti 2020 deri në vitin 2025, duke prekur rreth 30 futbolliste, mes të cilave edhe të mitura.
Reagimi i futbollisteve: “Privatësia jonë u shkatërrua”
Futbollistja Eleni Rittman, ish-lojtare e Altach që tashmë luan në Francë, shprehu tronditjen e saj për vendimin e Gjykatës Rajonale të Feldkirch.
“Ky dënim më lë pa fjalë. A është ky një sinjal parandalues për të tjerët? Ne u ndjemë të sigurta në shtëpinë tonë, por kjo siguri u thye nga dikush që e konsideronim pjesë të familjes sonë sportive,” u shpreh Rittman.
Në një letër të përbashkët të lexuar gjatë gjyqit, viktimat theksuan se trauma e shkaktuar ka bërë që shumë prej tyre të mos ndihen më të sigurta as në dushet publike.
Dënimi dhe mbrojtja
Përveç dënimit me kusht, autori duhet t’i paguajë secilës prej viktimave nga 625 euro. Gjatë procesit, mbrojtja pretendoi se materialet filmike nuk u ishin shpërndarë personave të tretë dhe se ato tashmë janë asgjësuar. Vetë i akuzuari kërkoi ndjesë publike në fund të seancës, por prokuroria ka kërkuar kohë shtesë për të shqyrtuar mundësinë e ankimimit të dënimit.
Rasti mori përmasa politike kur Ministrja e Sportit, Michaela Schmidt, i cilësoi krimet si “të pështira”. Beteja ligjore pritet të vazhdojë, pasi dënimi ende nuk është i formës së prerë.
/ KOHANEWS


