Sonte në orën 21:00 (sipas kohës sonë lokale), vëmendja e gjithë globit zhvendoset në Amerikën e Veriut, ku starton zyrtarisht Kampionati i 23-të Botëror i Futbollit. Ndeshja hapëse do të luhet në stadiumin mitik “Azteca” të Meksiko Sitit, ku kombëtarja vendase e Meksikës do të përballet me Afrikën e Jugut, në kuadër të Grupit A (pjesë e të cilit janë edhe Çekia e Koreja e Jugut). Meksikanët vijnë me moral të lartë në këtë premierë, pasi në provën gjenerale mposhtën Serbinë me rezultatin e thellë 5:1.

Ky Botëror hyn menjëherë në histori për dy arsye: është i pari që organizohet në tre shtete nikoqire (SHBA, Meksikë dhe Kanada) dhe sjell një format të ri me një numër rekord prej 48 kombëtaresh. Skuadrat janë të ndara në 12 grupe me nga katër, ku përveç dy të parave të çdo grupi, në fazën e eliminimit direkt do të kalojnë edhe tetë ekipet më të mira të vendeve të treta. Përgjatë një muaji, tifozët do të ndjekin plot 104 ndeshje emocionuese.
Kampione në fuqi është Argjentina, e cila do të tentojë të mbrojë trofeun e fituar në Katar, por konkurrenca do të jetë e jashtëzakonshme. Ndër favoritët kryesorë rreshtohen gjigantët si Franca, Spanja, Brazili, Portugalia, Anglia dhe Gjermania, pa përjashtuar ndonjë surprizë të mundshme nga kontinenti afrikan, ku spikasin Maroku, Senegali dhe Bregu i Fildishtë.
Nga pamjet e zbuluara së fundmi nga prova gjenerale e ceremonisë, vihen re edhe disa ndryshime protokollare: në fushën qendrore para ndeshjes do të rreshtohen të gjithë lojtarët e regjistruar dhe jo vetëm 11-shja titullare. Gjithashtu, himnet kombëtare nuk do të këndohen në mënyrë tradicionale, por do të interpretohen drejtpërdrejt nga këngëtarë të njohur.


