Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, po merr pjesë në Vjenë në takimin e grupit të Miqve të Ballkanit Perëndimor, një forum ku po diskutohet për dinamikat e reja të zgjerimit të Bashkimit Europian dhe rolin strategjik të rajonit në të ardhmen e Europës.
Takimi zhvillohet me ftesë të ministres së Jashtme të Austrisë, Beate Meinl-Reisinger, dhe të përfaqësueses së lartë të BE-së për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas. Në punime marrin pjesë ministrat e Jashtëm të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë, Bosnje-Hercegovinës, Greqisë, Kroacisë, Sllovakisë dhe Sllovenisë.
Gjatë fjalës së saj, Spiropali theksoi se zgjerimi i BE-së mbetet një investim i drejtpërdrejtë për zhvillim, rritje ekonomike, siguri dhe një perspektivë më të mirë për të rinjtë e rajonit.
“Zgjerimi dhe bashkimi i Europës garanton zhvillimin ekonomik, rritjen e investimeve dhe forcimin e sigurisë europiane. Kjo është koha e Shqipërisë dhe ne jemi gati të ecim më shpejt”, u shpreh ministrja.
Spiropali ndodhet në Vjenë gjithashtu për të marrë pjesë në Këshillin e 32-të Ministror të OSBE-së në Pallatin Hofburg, ku rikonfirmoi mbështetjen e Shqipërisë për ligjin ndërkombëtar, drejtësinë dhe llogaridhënien, duke dënuar agresionin rus në Ukrainë dhe duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes së dinjitetit njerëzor.


